Negociatat për formimin e qeverisë po shkojnë në drejtim të duhur. Ky është komenti i kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, i cili bashkë me nënkryetarët e partisë, qëndroi rreth tri orë në zyrat e koalicionit VLEN, ku për të diskutuar për formimin e qeverisë, u prit nga liderët e opozitës shqiptare, Arben Taravari, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi.
Mickoski, nuk dha detaje nëse në takim është diskutuar për ndarjen e resorëve, apo për çështjen e ndryshimeve kushtetuese, por paralajmëroi se opinioni do të informohet nëpërmjet komunikatës.
“Siç jeni edhe dëshmitarë sot, ishin përfaqësuesit e partisë politike VMRO-DPMNE në zyrat e VLEN së bashku në takim për fillim të negociatave me liderët e koalicionit VLEN. Negociatat shkojnë në drejtim të duhur dhe më vonë do të informohen me komunikatë për detajet”, u shpreh Bashkim Bakiu, koalicioni VLEN.
Kreu i VMRO-DPMNE-së dje ka mbajtur takim me përfaqësuesit e partive të koalicionit “Maqedonia e juaj”, me të cilët ka garuar në zgjedhjet parlamentare. Nënkryetari i partisë, Timço Mucunski dje në intervistën për Alsat tha se në takim është diskutuar për tri postulatet kryesore të qeverisë së ardhshme - zhvillimin ekonomik, sundimin e së drejtës dhe rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Të njëjtat postulate, do të jenë pjesë e negociatave edhe me koalicionin VLEN, raporton Alsat.