Apartamentet e branduara, inovacioni i këtij bashkëpunimi
Vlora Marina Residences dhe Marriott International nënshkruan marrëveshjen që i hap rrugën hotelit me 5 yje të certifikuar ndërkombëtarisht në Vlora Marina. Investimi mbi 100 milionë euro parashikon ngritjen dhe menaxhimin e hotelit Vlora Marriott Hotel si dhe prezantimin e një koncepti të ri për Shqipërinë dhe rajonin që janë apartamentet e branduara. Hoteli i ri do të vendoset në zemër të Vlorës dhe do të jetë pjesë e investimit në Vlora Marina, projektit urban miks, i cili përfshin një marinë të klasit botëror me 438 vende për ankorim të jahteve dhe mega-jahteve, apartamente Premium me pamje nga deti, njësi shërbimi dhe zona argëtimi.
Marrëveshja me Marriott International shënon një fillim të rëndësishëm për Vlorën dhe për standardet më të larta që Shqipëria po përvetëson në fushën e turizmit dhe mikpritjes. Si hoteli me 150 dhoma ashtu edhe apartamentet e brandura (branded apartments) do të manaxhohen nën të njëjtën strehë nga i njëjti ekip Marriott, duke garantuar cilësinë dhe standardet më të larta ndërkombëtare.
Në fjalën e saj, që i parapriu nënshkrimit të marrëveshjes, Ardiana Sokoli, zv.presidente për Pasuritë e Paluajtshme e Grupit BALFIN tha se ky bashkëpunim dhe standardet e parashikuara për t’u implementuar aty, ndryshojnë tërësisht rregullat e lojës në industrinë e hotelerisë në Shqipëri.
Ndërsa, përfaqësuesit e Marriott, Silvija Lovreta, drejtoreshë për Evropën Jug-Lindore, Marriot International e cilësoi këtë marrëveshje një përmbushje të kërkesës që vendi ka për brande të tilla në shërbimin e hospitality.
“Ky është një koncepti që po e sjellim për herë të parë në Shqipëri dhe jemi shumë krenar për këtë. Kjo marrëveshje përforcon kërkesën që ne po shohim në vend për praninë e brandeve ndërkombëtare. Ne jemi të kënaqur për këtë bashkëpunim me Vlora Marina duke forcuar praninë tonë në Shqipëri”
“Kemi punuar me ekipin më të mirë sa i përket projekteve të hoteleve dhe ambienteve të tjera. Ky është projekti jonë i parë në Shqipëri sa i përket rezidencave. Kemi shumë besim që do të jetë një sukses i vërtetë”.
I përshtatshëm si për ata që udhëtojnë për biznes, ashtu dhe për turistë, Vlora Marriott Hotel, parashikon të ketë 150 dhoma dhe suita si dhe mbi 100 apartamente për shitje nën emrin e Vlora Marriott Residences.Hoteli përfshin pishinë të brendshme dhe të jashtme, katër restorante dhe bare, një plazh privat me një beach bar, spa, një qendër fittnesi dhe një hapësirë moderne për biznes dhe takime. Gjithashtu do të sigurohet edhe një qendër socio-argëtuese për vizitorët dhe qytetarët e Vlorës 24 orë në 24. Rezidencat janë planifikuar të jenë nga 75 deri në 220 m² me një, deri në katër dhoma gjumi, duke u ofruar banorëve akses në palestër private si dhe facilitete të përzgjedhura të hotelierisë.