Vizita e emisarit të Bashkimit Evropian në Kosovë Miroslav Lajçak, një ditë më parë u prit se do t’i shuaj “spekulimet” rreth temës për heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës.
Megjithatë, emisari Lajçak ka shprehur vetëm qëndrimin e tij se është pro heqjes së masave derisa tha se këto janë vendime që merren nga shtetet anëtare.
Ndërsa arsyeja e vizitës së tij në Prishtinë ishte rifokusimi në procesin e dialogut mes dy vendeve si dhe plani i rritjes së BE-së. E për raportin të kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Josep Borrell për masat, Lajçak në Prishtinë tha se pritet të diskutohet të mërkurën në komisionin politik dhe të sigurisë, nga shtetet anëtare.
“Dhe kjo (heqja e masave) varet nga diskutimi, nga rezultati i diskutimit”, tha Lajçak.
E hapja e temës së raportit të kryediplomatit Borrell u bë ditë më parë nga ekzekutivi. Këta të fundit janë shprehur optimist se aty rekomandohet largimi i masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Zëvendëskryeministri për integrime evropiane dhe dialog, Besnik Bislimi kishte thënë se ka informacione se përmbajtja e raportit të Borrell do të jetë pozitiv.
Për deklarimet e Bislimit, Bashkimit Evropian ka reaguar menjëherë.
Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, raporti ka të bëjë me dinamikat e institucioneve të BE-së, dhe ka thënë se askush jashtë BE-së nuk duhet të spekulojë rreth përmbajtjes dhe afateve.
https://kosovapress.com/be-nuk-duhet-spekuluar-rreth-raportit-te-borrellit-per-masat-ndaj-kosoves
Derisa për këto deklarime të martën është pyetur edhe kryeministri Albin Kurti për ta dhënë qëndrimin e tij.
“Nuk mendoj që duhet të spekuloj për spekulimet”, ka thënë Kurti.
Borrell një ditë më parë më 18 qershor ua ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës më shumë se një vit më parë. Kjo është konfirmuar zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.
https://kosovapress.com/borrell-ua-dorezon-vendeve-te-be-se-raportin-per-masat-ndaj-kosoves
I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, theksoi se ai është pro largimit të masave ndaj Kosovës dhe se këtë gjë ua ka përsëritur vendeve të BE-së, por që ai vet nuk është pjesë e këtij procesi.
Masat ndëshkuese BE-ja ia vendosi Kosovës në qershor të vitit të kaluar pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.