Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se gjatë këtij viti do ta furnizojë Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit me rezonancën magnetike, e cila do të jetë në dispozicion për banorët e kësaj komune, por edhe të banorëve të komunave përreth.
Vitia i bëri këto komente pas vizitës në këtë spital, të cilin e vizitoi bashkë me zv/ministrin Arsim Berisha, të shoqëruar nga u.d drejtoresha e ShSKUK-së, Narqize Arenliu – Hoxhaj dhe zv/drejtori, Hasan Arzoallxhiu.
"Deri në muajin shtator ose tetor, spitali i Prizrenit do të pajiset edhe me rezonancën magnetike, një shërbim i munguar për qytetarët. Gjatë këtij viti do të përfundoj edhe pjesa e Kardiologjisë Invazive që do të ndikojë në shtimin e shërbimeve. Shërbimet e Kardiologjisë Invazive për herë të parë do të ofrohen në një spital regjional, e jo vetëm në QKUK. Shërbimet si koronografitë dhe stentimet do të mundësohen edhe në këtë spital. Një lajm tjetër i rëndësishëm është se tashmë janë bërë planifikimet që një pjesë e shërbimeve onkologjike të merren edhe në këtë spital. Forcimi i kapaciteteve të spitaleve regjionale, do shkarkojë edhe fluksin e kërkesave në QKUK", tha ministri Vitia.
Sipas ministrit Vitia, përpos investimeve që do të realizohen gjatë këtij viti, në kuadër të planifikimeve të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, janë planifikuar investime në projekte të cilat do të avancojnë shërbimet për qytetarët.
Gjatë kësaj vizite, ministri Vitia u njoftua gjithashtu edhe për mbarëvajtjen e “Objektit spitalor për nënën dhe fëmijën” që ka për qëllim përmirësimin e kujdesit ndaj shëndetit të popullatës, veçanërisht të kujdesit ndaj shëndetit të nënës e fëmijës.