Vitia nënshkruan UA për Shkollim Specialistik
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për Shkollim Specialistik. Udhëzimi i ri do t’i eliminojë mangësitë që kanë qenë të shprehura në udhëzimin e mëparshëm, do të mundësojë një sistem më të mirë të shkollimit specialistik dhe do të rregullojë çështjet e përgjegjësive të specializantëve në raport me respektimin e kontratave të nënshkruara.

“Përmes Udhëzimit Administrativ Nr. 01/2023 është bërë sistematizmimi në klinikat përkatëse, si dhe njëkohësisht është bërë zgjidhja sa i përket mentorëve klinikë. Bordi për Shkollim Specialistik (BShS) ka përpiluar “Ditarin e Specializantit” dhe, në bashkëpunim me departamentin e Sistemit Informativ Shëndetësor ka përpiluar  Databazën apo Modulin Elektronik. Këto metoda do të shërbejnë për monitorimin dhe evidentimin e punës së specializantit gjatë shkollimit specialistik, procedurë kjo që më parë evidentohej në një librezë e cila i ngjan asaj të stazhit postdiplomik”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në njoftim thuhet se pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi presim rekomandimin nga BShS për Ministrinë e Shëndetësisë me qëllim të inicimit të proceduarve për të hapur specializimet e reja.

Numri i specializimeve do të mbështetet në tri kriteret bazë:

· Kuadri deficitar

· Kapacitetet Mentoriale

· Kapacitetet Infrastrukturore.

Përmes UA Nr. 01/2023 për Shkollim Specialistik, për herë të parë përdorën standardet e UEMS, praktikë kjo e njëjtë me shtetet e rajonit dhe Evropës. Kompetencat e akterëve përgjegjës për shkollimin specialistik janë më të qarta, qartësohet procedura e mbikëqyrjes të vijueshmërisë të shkollimit specialistik, përcaktohen kriteret e detajuara për institucionet të cilat kërkojnë leje për shkollimin specialistik, krijohen mekanizmat për kontrollin e cilësisë të shkollimit specialistik. Provimi specialistik me UA-në e re nuk do të jetë formal, por do të përfshijë vlerësimin objektiv të njohurive praktike dhe teorike të fituara gjatë shkollimit specialistik dhe një sërë kriteresh të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me shkollimin specialistik, modalitetet për mbulimin e lëmive deficitare, statusi i neonatologëve, çështja e profilizimeve, etj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024