Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është shprehur i brengosur me largimin e profesionistëve shëndetësorë jashtë vendit.
Në konferencë për medie, pas mbledhjes së Qeverisë, Vitia tha se janë duke u përballur me mungesën e anesteziologëve, porse theksoi se profesionistët shëndetësorë kanë përfituar më së shumti nga Ligji i pagave.
“Jemi duke u përballur me mungesën e anesteziologëve, jo infermierëve deri në atë shkallë. Në anën tjetër, neve si ministri por edhe si qeveri po na brengosë ikja e profesionistëve shëndetësorë jashtë vendit. Në këtë drejtim jemi munduar dhe në raport me koeficientet tani, mendoj se profesionistët shëndetësorë kanë përfituar më shumë se çdo kategori tjetër. Kjo është një nga ajo që po mundohemi të bëjmë që të bindim stafin shëndetësor që mos të largohen nga vendi. Në anën tjetër, kemi filluar dhe është një rregullore e cila do të përcaktojë se për stafin shëndetësor dhe mjekët specialistë që vendosin të punojnë vetëm në sektorin publik do të ketë një shtesë ekstra. Natyrisht është edhe përvoja e punës dhe për një mjekë specialist me gjitha këto, pas kalimit të Ligjit të pagave, një mjeku specialist nëse punon vetëm në QKUK do t’i shkojë rroga deri 1700-1800 euro në muaj”, tha ai.
I pyetur për emërimin e u.d e drejtoreshës së ShSKUK-së, Narqize Arënliu- Hoxhaj, Vitia tha se e njëjta nuk ka qenë anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje, por është angazhuar vetëm si eksperte sa kanë udhëhequr Komunën e Prizrenit.
Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u arsyetua për ndërtimin e pakët të shkollave dhe çerdheve gjatë këtyre dy viteve qeverisjeje.
Ajo tha se kanë bërë planifikimet e duhura dhe se do të ecin tutje gjatë këtij viti për ndërtimin e infrastrukturës shkollore.