Nxënësit nga komuniteti turk dhe boshnjak në Prizren, përveç librit të gjuhës angleze, nuk kanë mundur të sigurojnë asnjë libër, derisa pjesa dërrmuese e nxënësve nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian nuk janë pajisur ende me libra, tha drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj.
Në një bisedë për KosovaPress, ajo tha se në përgjithësi kanë hasur në sfida sa i përket sigurimit të librave për nxënësit, duke përfshirë faktorët ekonomik dhe problemet teknike.
Tutje, Gutaj potencoi se as gjatë 10 ditëve të ardhshme nuk pritet që këta nxënës të pajisen me libra shkollorë, derisa tregoi se ka ankesa atë vazhdueshme nga prindërit.
Ndër të tjera, drejtoresha për Arsim në këtë komunë tha se familjarët kanë hasur në pengesa gjatë përpjekjeve për të aplikuar në platformën e-Kosova për rimbursim të mjeteve financiare.
Në Kosovë, mësimi ka filluar me datën 1 shtator.
Këtë vit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka vendosur që prindërit t’i blejnë librat për fëmijët ndërsa shteti t’i rimbursojë mjetet financiare./Z.Zeneli