Policia britanike ka publikuar foton e një burri në kërkim që besohet se ka lënë dy valixhe me pjesë të trupit në urën e varur Clifton të Bristolit.
Mbrëmë në orën 23:57, policia ka marrë një denoncim për një burrë me një valixhe që sillet në mënyrë të dyshimtë në urë. Kur oficerët mbërritën dhjetë minuta më vonë, burri ishte larguar, duke lënë valixhen pas. Valixhja e dytë u gjet jo shumë kohë më vonë. Të dy valixhet besohej se përmbanin mbetje njerëzore.
Në një konferencë shtypi, komandanti i përkohshëm i Bristol, Vicks Hayward-Melen, publikoi një fotografi të të dyshuarit.
Policia tha se burri mbërriti me një taksi, dhe automjeti dhe shoferi janë identifikuar dhe po ndihmojnë në hetimin. I dyshuari besohet të ketë ikur drejt Leigh Woodus, në skajin perëndimor të urës në Somerset verior.
Policia kontrolloi zonën, e ndihmuar nga Forca Ajrore e Policisë Kombëtare dhe Roja Bregdetare.
Kordonët e policisë dhe automjetet bllokuan hyrjen në të dy skajet e urës, e cila normalisht ka mesatarisht 11 mijë kalime në ditë. Automjetet mjeko-ligjore ishin parkuar para qendrës së vizitorëve të urës dhe stafi me kostume të bardha mbrojtëse mbante qese plastike, shkruan Guardian.