Vendoset gurthemeli i çerdhes së re në kryeqytet
Lexohet për: 4 min.
27.10.2022 - ZKM-1 (5)
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vendosur gurthemelin për një çerdhe të re në kryeqytet, i katërti brenda muajit tetor.

Pas vendosjes së gurthemeleve në Dobërçan të Gjilanit dhe në Gjakovë, i pari i ekzekutivit tha se këtë muaj po e mbyllin mbarë edhe me vendosjen e gurthemelit të çerdhes në kryeqytet, tek “Shkolla e Gjelbër” në Prishtinë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se investimet në ndërtimin e çerdheve do të bëhen në të gjitha komunat e Kosovës, në drejtim të rezlizimit të premtimeve të dhëna si qeveri.

Kurti ka sqaruar se çerdhja e re në kryeqytet do të ketë 1.300 metra katrorë, me 120 fëmijë të cilët do të akomodohen dhe me 5 dhoma qëndrimi për fëmijët, e cila kap vlerën e 743 mijë eurove.

“Do të vazhdojmë me punime edhe në komuna tjera... Kemi bërë buxhetin për ndërtimin e çerdheve të reja edhe për vitin e ardhshëm, për vitin 2023. Çerdhja që po i fillon punimet sot do të jetë me sipërfaqe 1300 metra katrorë dhe do të akomodojë 120 fëmijë të kryeqytetit. Është projektuar në dy kate dhe përmban pesë dhoma për qëndrim të fëmijëve, tri dhoma të gjumit për fëmijë, kuzhinën, dhomën e mjekut, psikologut, administratën si dhe hapësirën teknike... Ky investim kap vlerën 743 mijë euro. Arsimin e kemi prioritet e veçanërisht zhvillimin e edukimit të hershëm, edukimi parashkollor është tejet i rëndësishëm për suksesin e fëmijëve dhe të rinjve në arsimimin e mëtutjeshëm. Investimet si ky sot e tjerat që do vinë janë të nevojshme për vendin dhe shoqërinë tonë”, tha Kurti.

Kurti po ashtu tha se gurthemeli i radhës do të jetë në Komunën e Podujevës.

Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të kësaj çerdheje, bashkë me Kurtin ishin edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

E para e Arsimit tha se janë duke punuar që të përmirësojnë rezultatet në arsim, derisa shtoi se është rritur edhe buxheti në këtë drejtim.

“Qeveria tashmë jo veç se ka ndarë buxhetin për investime në avancimin e edukimit të hershem dhe përmirësimet në edukim, infrastrukturë edhe fizike përveç asaj ligjore dhe kushteve të tjera por edhe e ka rritur atë buxhet. Nga komuna në komunë, nga fshati në fshat do të punojmë shumë në aspekt shumë dimensional që të përmirësojmë rezultatet në arsim. Në këtë drejtim dhënia e mundësië për fëmijët në përfshirjen e edukimit të hershem është e dokumentar tashmë që është parakusht për secilin prej fëmijëve për familjet e tyre por edhe zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi”, tha Nagavci.

Ndërtimit të kësaj çerdheje iu gëzua i pari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se ky është një hap i rëndësishëm.

Ai tha se bashkëpunimi ndërinstitucional i nivelit lokal me nivelin qendror jep fryte të mirëfillta.

Ndërsa siç tha ai, janë edhe tri shkolla tjera që planifikojnë të ndërtojnë.

“Në aspektin institucional përgjegjësia jonë për ngritjen e kualitetit mësimor fillon pikërisht nga fëmijëria, nga mosha e vogël ku edhe i mundësojmë qytetarëve tanë, fëmijëve tanë që të kenë qasje në vende ku shoqërohen me njëri tjetrin, mësojnë si të bashkëpunojnë më njëri tjetrin, si të transformohen në qytetar të ndershëm për të mirën e gjithë shoqërisë në vend... Bashkëpunimi ndërinstitucional i nivelit lokal me nivelin qendror jep fryte të mirëfillta. Kemi edhe projekte të tjera, pra edhe tri shkolla tjera tash që planifikojmë t’i ndërtojmë me partneritetin publiko privat, e cila po ashtu vjen si rezultat i bashkëpunimit të mirëfilltë të nivelit lokal me nivelit qendror”, tha Rama.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025