Qeveria në detyrë sot ka marrë dy vendime lidhur me profesionin e avokatëve. Njëri ishte për ndalimin e ekzekutimit të Rregullores për pranimin dhe trajtimin e thirrjeve telefonike në sistemin e caktimit të avokatëve, sipas detyrës zyrtare (Ex-Officio) të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe tjetri për ndalimin e ekzekutimit të aktit administrativ mbi lartësinë e shpenzimeve për regjistrim, të Odës së Avokatëve të Kosovës.
Për të marrë këto vendime Qeverinë nuk e ndali paralajmërimi i Odës së Avokatëve të Kosovës, e cila një ditë më herët i bëri thirrje që të heqë dorë nga këto “iniciativa” dhe njëkohësisht edhe të respektojë kufijtë kushtetues dhe ligjorë të kompetencave të saj.
Mirëpo, si ndërhyrje dhe prekje e pavarësisë në punën e kësaj ode po e vlerëson ish-kryetari i OAK-ut, Ramë Gashi.
Gashi tha se kjo odë mund të vetëdisiplinohet dhe të vetëorganizohet pa e pasur kështu nevojën për të ndërhyrë nga askush.Gashi shtoi se ky është një shembull i keq dhe se këto vendime, sipas tij, nuk duhej të ndodhnin në asnjë mënyrë.
“Nuk e besoj se është shembull i mirë, përkundrazi besoj se është shembull i keq, jashtëzakonisht për mua i keq, sepse prek pavarësinë e Odës së Avokatëve të Kosovës në organizimin e saj, në atë me çka është për çka është e themeluar dhe si është e paraparë me ligjin mbi Odën e Avokatëve të Kosovës. Kështu që unë e shoh si diçka që nuk është dashur të ndodhë dhe nuk ka nevojë, sepse më së miri Oda e Avokatëve të Kosovës e di si të organizohet për punën e saj dhe si të organizojë punën e avokatëve në terren, në tërë territorin e Kosovës”, shtoi ai.