Vëllaznimi e barazon serinë, mposht Sigal Prishtinën
Ka përfunduar përballja mes Vëllaznimit dhe Sigal Prishtinës, ndeshja kjo e dytë e çerekfinales së “Play-offit” të Superligës së Kosovës në basketboll mes dy skuadrave.
Vëllaznimi e ka mposhtur sot Sigal Prishtinën në Gjakovë, kështu duke e barazuar serinë e çerekfinales në 1:1, raporton KosovaPress.
Në ndeshjen që u zhvillua në palestrën e sporteve “Shani Nushi”, Vëllaznimi e mposhti Sigal Prishtinën me rezultat të ngushtë 66:65 (18:25, 20:18, 17:11, 11:11).
Basketbollistët më të dalluar te Vëllaznimi ishin Jordan Dallas me 19 pikë e 10 kërcime dhe Ardit Pepaj me 15 pikë e tri kërcime.
Ndërkaq, më i miri te Sigal Prishtina ishte Dante Clark me 21 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime.
Gjithçka do të vendoset në ndeshjen e tretë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë sa i përket skuadrës që kualifikohet në gjysmëfinale të “Play-offit” të Superligës së Kosovës në basketboll.
Rezultati final i ndeshjes, 66:65 në favor të Vëllaznimit.