Muriqi: Kemi studiuar mirë pikat e dobëta të Sllovakisë
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Muriqi: Kemi studiuar mirë pikat e dobëta të Sllovakisë
New Project (40)
25/03/2026 - 19:12
Linku u kopjua

Në prag të njërës prej ndeshjeve më rëndësishme në historinë e përfaqësueses sonë, kampi i Kosovës ka mbajtur konferencën zyrtare për media në stadiumin "Tehelné pole" në Bratisllavë.

Para gazetarëve, përzgjedhësi Franco Foda, kapiteni Vedat Muriqi dhe menaxheri i ekipit kombëtar, Bajram Shala, kanë pasqyruar atmosferën e grupit dhe përgatitjet e fundit para ballafaqimit me Sllovakinë.

Vedat Muriqi, lojtari kryesor i sulmit të "Dardanëve", shprehu besim të plotë te puna që është bërë gjatë ditëve të fundit në kampin kuqezi.

"E dimë rëndësinë e madhe që ka kjo ndeshje dhe kemi pasur stërvitje mjaft cilësore. I kemi studiuar mirë pikat e forta dhe të dobëta të Sllovakisë, prandaj nesër pres një përballje të barabartë në fushë. Jemi të gjithë të gatshëm për çdo betejë që do të kemi para nesh," deklaroi Muriqi, duke transmetuar qetësi dhe mobilizim para duelit në Bratisllavë.

Nga ana tjetër, përzgjedhësi Franco Foda u shpreh se kualiteti i treguar nga ekipi e bën kualifikimin një objektiv plotësisht të prekshëm, pavarësisht kohës së shkurtër. "Që kur kam nënshkruar kontratën, qëllimi ka qenë rritja e ekipit dhe tani jemi vetëm dy fitore larg suksesit më të madh historik. Kemi bërë ndryshime të vogla, kemi afruar lojtarë të rinj dhe kjo paketë në përgjithësi ka dëshmuar se jemi gati për t'u kualifikuar në Botëror," theksoi tekniku gjerman, duke vlerësuar pjekurinë e treguar nga përfaqësuesja në këtë rrugëtim.

Ndeshja mes Sllovakisë dhe Kosovës zhvillohet nesër me fillim nga ora 20:45, ku pritet një numër i konsiderueshëm i bashkëatdhetarëve tanë në tribuna.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026