Partia Socialiste përveç fitores që tanimë dihet në bashkitë Kamëz, Vora, Elbasan, Pusteci, Delvinë, Klos, Kolonja, Këlcyrë, Tepelenë, sipas rezultateve të fundit të KQZ-së, ka fituar edhe në Pukës, Peqin, Elbasan dhe Delvinë. Kurse, koalicioni Bashkë Fitojmë, deri tash ka fituar vetëm në Libohovë dhe Memaliaj. Ndërkohë, numërimi i votave po vazhdon në bashkitë tjera.
Tanimë ka përfunduar procesi i numërimit të votave në bashkinë Dropull, ku ka fituar kandidati i PS-së, Dhimitraq Toli me 81.25% ose 3709 vota. Kurse, kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë, ka marrë 14.87% ose 679 vota.
Në Peqin, pas numërimit të të gjitha votave, del se ka fituar kandidati i PS me 57.78% ose 6400 vota. Kurse, kandidati i BF ka marrë 42.22% ose 4677 vota.
Në Elbasan janë numëruar 98.66% të votave dhe fitues do të jetë kandidati i PS, Gledian Llatja me 56.17% ose 34936 vota, i cili tanimë ka nis të urohet nga qytetarët. Ndërsa, kandidati i BF-së, Luçiano Boçi ka marrë 43.83% ose 27263 vota.
Sot gjatë ditës pritet të dalin rezultatet për 61 bashki, për të cilat votuan dje qytetarët e Shqipërisë.