Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka thënë se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është urgjente. Vetëm në këtë formë, sipas tij iu mundësohet dy shteteve të avancojnë në rrugët e tyre drejt BE-së, derisa kërkoi konstruktivitet nga dy palët.
Në konferencën për medie, pasi u publikuan raportet vjetore për vendet e Ballkanit Perëndimor, Varhelyi, ritheksoi mbështetjen e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Komisioneri për zgjerim, po ashtu kërkoi nga Serbia që të shtojë përpjekjet e saj në përafrim të pozicioneve me BE-në në politikën e jashtë, sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë.
“Në kontekstin aktual gjeopolitik është gjithashtu e qartë se Serbia duhet të shtojë përpjekjet e saj në përafrimin me pozicionet e BE-së në politikën e jashtme, duke përfshirë deklaratat dhe sanksionet në përputhje me kornizën negociuese... Nuk thashë se janë pezulluar, jo, nuk do të ishte e drejtë të them, përkundrazi, reformat po avancojnë dhe kështu negociatat e anëtarësimit, nuk janë pezulluar, por nëse Serbia do të donte për të përshpejtuar anëtarësimin e saj, sigurisht që do të ishte adresimi i çështjes së përafrimit të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP), sepse kjo mund të krijojë një atmosferë mjaft pozitive në anën e shteteve anëtare për të përshpejtuar ritmin e negociatave”, tha ai.