Vaksina kundër virusit Human Papiloma (HPV) ka filluar të aplikohet në Kosovë për vajzat e klasave të gjashta qe nga shkurti, por ajo nuk po përfillet si duhet në mungesë të informimit të mjaftueshëm të prindërve mbi rëndësinë e saj. Në QKUK thonë se vaksinimi kundër HPV-së është i rëndësishëm, derisa nga komuna e Prishtinës thonë se deri më tash janë vaksinuar gjithsej 120 nxënës në tri shkolla.
Papilloma virusi transmetohet kryesisht përmes marrëdhënieve intime dhe mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme te personat e prekur, përfshirë kancerin e qafës së mitrës, andaj vaksina kundër këtij virusi ka një rëndësi të jashtëzakonshme për shëndetin e vajzave. Për momentin në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë ka përfshirë vetëm klasat e gjashta në marrjen e kësaj vaksine.
Drejtori komunal i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku ka bërë të ditur për KosovaPress se deri më tani janë vaksinuar gjithsej 120 nxënës të klasave të gjashta në tri shkolla.
Sekretari i Këshillit të prindërve, Enver Balaj, thotë për KosovaPress se prindërit nuk kanë informacione të mjaftueshme rreth vaksinës HPV. Sipas tij, Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë duhet të shqyrtojnë mundësinë e vaksinimit të të gjithë fëmijëve për shkak të kontrolleve mjekësore të pamjaftueshme.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje për vaksinim kundër HPV-së për ta parandaluar kancerin e qafës së mitrës dhe sëmundjeve tjera. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vaksinat kundër HPV funksionojnë më mirë nëse administrohen përpara ekspozimit ndaj papilloma virusit. /A. Shala/
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...