Ushqimi i ushtarëve, Osmani fton në takim Jasharin dhe Maqedoncin
Siguri
Lexohet për: 1 min.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar në takim komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jasharin dhe ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, për të diskutuar furnizimin me ushqim të ushtarëve të FSK-së, si dhe ka kërkuar raport të detajuar për situatën.
Lajmi është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Bekim Kupina, këshilltar për media i Osmanit.
“Presidentja angazhohet, brenda kompetencave të saj, në funksion të zgjidhjes së problemit të shfaqur që ndikon pashmangshëm në operacionalitetin e FSK-së, procesin zhvillimor të saj, imazhin dhe integritetin e saj institucional”, ka thënë Kupina përmes një komunikate me shkrim.
Në javët e fundit, mediat lokale kanë publikuar shpesh fotografi të shujtave të ushtarëve, si dhe ankesave të pjesëtarëve të FSK-së për që u servohet.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka thënë se të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe se në to shërbehet llojllojshmëri shujtash, ndërsa raportimet në media i ka quajtur propagandë.