USAID ka lansuar sot kampanjën në kuadër të shënimit të Javës kundër korrupsionit me sloganin “Lyp llogari për paret tua”, e cila synon integritetin e komunave të Kosovës që të promovohet llogaridhënia, integriteti dhe transparenca në të gjitha nivelet e qeverisjes në të mirën e qytetarëve.
Drejtoresha e aktivitetit të USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës, Maia Gogoladze tha se ky aktivitet do të jetë një hap përpara kundër korrupsionit. Ajo u shpreh se luftimi kundër korrupsionit ka shumë sfida, por në partneritet me qeverisjen qendrore dhe komunale do të luftohet dukuria e korrupsionit.
Kryetari i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Osman Vishaj tha se sfidë kryesore e prokurimit mbetet planifikimi jo i duhur, transparenca dhe mbikëqyrja e kontratave.
Ndryshe, raporti i Komisionit Evropian për Kosovën një vëmendje i ka kushtuar edhe luftës që ka bërë Kosova kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se vendi ynë është në mes të një faze të hershme në luftën kundër këtyre dy dukurive.
“Është bërë përparim i kufizuar gjatë periudhës raportuese dhe korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese. Ndërsa vitin e kaluar Kuvendi miratoi legjislacion të rëndësishëm kundër korrupsionit dhe korniza ligjore për konfiskimin penal është avancuar, mbetet shumë për të bërë për të zbatuar legjislacionin kundër korrupsionit. Pavarësisht përmirësimit të performancës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, mjetet parandaluese kundër korrupsionit të përcaktuara në legjislacion ende nuk janë përdorur plotësisht. Kosova duhet të shtojë përpjekjet për të pasur hetime më proaktive, vendime gjyqësore përfundimtare dhe konfiskim përfundimtar të aseteve. Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Është bërë përparim i kufizuar në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar. Kosova ka miratuar një strukturë të re organizative policore dhe ka përmirësuar kapacitetet e inteligjencës dhe analizës. Operacionet e zbatimit të ligjit kundër krimit të organizuar vazhduan. Përkundër kësaj, mjetet e fuqishme të parapara me Kodin Penal dhe Ligjin për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit ende nuk janë shfrytëzuar plotësisht. Lufta kundër krimit të organizuar në veri të Kosovës vazhdon të jetë sfiduese”, thuhet në raport. /KosovaPress
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.