Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen deklaroi se Shqipëria do të përfitojë 920 milionë euro nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ajo në një konferencë të përbashkët sot me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, tha se BE ka hapur tregun e përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, pasi vendi ka bërë reformat e duhura.
Von der Leyen theksoi më tej se investimet e BE-së vijnë nga realizimi i reformave por edhe si pjesë e planit të rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye, sipas saj, Shqipëria në para-financim do të përfitojë 64 milionë euro, ndërsa gjithsej si investime do të merr 920 milionë euro.
“Plani i Rritjes do të sjellë edhe rezultate të tjera. Për shembull jeni në rrugën e duhur për t’u bërë pjesë e zonës unike të pagesave në euro që prej vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë që transfertat në para ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së do të jenë më të shpejta, më të sigurta dhe falas. Një përfitim si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset”, tha ajo. /RTSH