UNUM Festival në Shëngjin, pasaportë për promovimin turistik të Shqipërisë
Lexohet për: 2 min.
43t3
2 vite më parë
Linku u kopjua

Nga 1 deri në 6 qershor organizohet në Shëngjin UNUM Festival.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, takoi organizatorët e këtij festivali, të cilët presin mbi 15.000 pjesëmarrës nga e gjithë Evropa e bota.

Ministrja Kumbaro u shpreh se ky festival, që është pasaportë për promovimin turistik të Shqipërisë, organizohet te Rana e Hedhun, nën shenjën e mjedisit.

“Me çunat e Kosovës që e organizojnë UNUM Festival në Shëngjin të Shqipërisë dhe presin mbi 15,000 pjesëmarrës nga e gjithë Evropa e bota”, u shpreh Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.

“Nga 1 deri në 6 qershor, super eventi që është pasaportë për promovimin turistik të Shqipërisë organizohet te Rana e Hedhun, nën shenjën e mjedisit. Turizëm pa pastërti nuk ka dhe prandaj e nisëm duke mbledhur mbetjet në bregdet para se të vijnë miqtë”, theksoi Kumbaro.

UNUM Festival, organizohet me masa konkrete për mbrojtjen e mjedisit me hapësirë riciklimi, uorkshope edukative për riciklimin, joga e sporte në natyrë muzikë dhe art dhe vullnetarë që do të sensibilizojnë dhe mbledhin mbetjet gjatë ditëve të festivalit.

Ky festival mishëron idenë e unitetit dhe pozitivitetit, dy aspekte kryesore që janë përfshirë brenda muzikës ‘house’ dhe tekno që shërben si politika kryesore muzikore e festivalit.

Për organizatorët e këtij festivali, Rana e Hedhun është vendi ku emri i festivalit ka kuptim, me muzikën dhe peizazhin që vijnë së bashku për të formuar një ëndërr të lumtur; të erës që fluturon butësisht nëpër pemë pishe. Të gjitha të vendosura në një sfond malor, hapësirë ideale për të dëgjuar shumë artistë të respektuar nga e gjithë bota.

Me një pamje të rrallë mesdhetare, Rana e Hedhun, 3-4 kilometra larg Shëngjinit, është kthyer në një prej destinacioneve që vizitohet nga turistë të shumtë, vendas e të huaj./ATSH

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025