Maji i vitit 2022 ka mbledhur disa nga vendet e Ballkanit ku është bërë hapja e Panairit Ndërkombëtar i Turizmit “Kosova 2022”, organizuar nga Unioni i Turizmit të Kosovës.
Nga përfaqësuesit e Unioneve të Turizmit është shprehur interesimi për t’u rritur bashkëpunimi midis Kosovës dhe vendeve si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ku është bërë thirrje që të rritet bashkëpunimi për promovimin e potencialeve turistike.
"Ne vazhdimisht kemi bashkëpunuar sidomos me të dy anët e kufirit Shqipëria dhe Kosova për ta bërë një paketë të përbashkët turistike ose për të ndihmuar njëri-tjetrin në turizëm në potencialin turistik që ofron njëra apo tjetra anë e kufirit. Ne zakonisht jemi të fokusuar te turizmi bregdetar, ku qytetarët e Kosovës përbëjnë pjesën më të madhe të turistëve që frekuentojnë bregdetin e Shqipërisë dhe e kundërta kur qytetarët shqiptarë vijnë në Kosovë për t’u argëtuar ose për të shfrytëzuar potencialin turistik që ka Kosova sidomos sezonin dimëror, tashmë jemi në një situatë komode unë besoj që do të ketë shumë herë prurje më të mëdha, sepse qytetarët janë të mërzitur me situatën e pandemisë, " tha ai.
Gëzim Hajdinaga nga Shoqata e Turizmit të Malit të Zi, ka thënë se beson se do të ketë më shumë bashkëpunimin me institucionet kosovare për zhvillimin e sektorit të turizmit.
Për thellimin e bashkëpunimit midis Agjencisë së Turizmit të Maqedonisë së Veriut dhe me Unionin e Turizmit të Kosovës është nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi mes këtyre dy vendeve e që do të bëhet edhe një prezantim i potencialeve turistike të të dy vendeve.
"Lidhur me bashkëpunimin midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut shpresojmë që në një të ardhme sa më të afërt do ta bëjmë një prezantim të përbashkët me vendet e treta të largëta të botës që do ta prezantojmë duke e sjellë një destinacion të përbashkët turistik", tha Ljupço Janevski, drejtor i Agjencisë së Turizmit- Maqedoni e Veriut.