UNICEF: 100,000 fëmijë të prekur nga tërmeti i fuqishëm i Marokut
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Rreth 100,000 fëmijë janë prekur nga tërmeti i fuqishëm që goditi Marokun të premten e kaluar, tha të hënën Agjencia e OKB-së për Fëmijët (UNICEF).

“Ndërsa UNICEF-i nuk e di ende numrin e saktë të fëmijëve të vrarë dhe të plagosur, vlerësimet e fundit nga viti 2022 tregojnë se fëmijët përfaqësojnë pothuajse një të tretën e popullsisë në Marok”, thuhet në deklaratën e agjencisë, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

Më shumë se 300,000 njerëz janë prekur në Marrakech dhe në Malet e Atlasit të Lartë pas tërmetit 6.8 ballë, sipas vlerësimeve të OKB-së.

Mbi 2,800 njerëz janë vrarë, përfshirë fëmijë, me mijëra të tjerë të plagosur, tha Ministria e Brendshme e këtij vendi.

Autoritetet kanë frikë se këto shifra ka të ngjarë të rriten.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) tha se epiqendra e tërmetit, i cili goditi pak pas orës 23:00, sipas kohës lokale (2200 GMT), ishte 75 kilometra (46.6 milje) në jugperëndim të Marrakech në një thellësi prej 18.5 kilometrash (11.5 milje).

Dëme masive u raportuan në Marrakech, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, nga tërmeti vdekjeprurës.

Ekipet e shpëtimit vazhduan të hënën kërkimin për personat e zhdukur të bllokuar nën rrënoja për të tretën ditë pas tërmetit shkatërrues.

Disa ekipe të huaja të shpëtimit kanë mbërritur tashmë në vend për t'u bashkuar në përpjekjet për kërkime për të mbijetuarit.

Maroku deri më tani ka pranuar oferta ndihme nga Spanja, MB, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Të dielën, qeveria marokene hapi një llogari të veçantë me thesarin dhe Bankën Qendrore të Marokut për të marrë donacione për viktimat e tërmetit.

Tërmeti ishte më i forti që goditi vendin e Afrikës së Veriut në shekullin e fundit, sipas Institutit Kombëtar Gjeofizik të Marokut.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024