Ulqini gati për sezonin e ri, drejtues të komunës dhe biznesmenët flasin për çmimet dhe investimet
Lexohet për: 3 min.
ulqini 2
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Lidhja e përbashkët turistike e Ulqinit dhe Kosovës edhe pas liberalizimit të vizave do të vazhdojë të qëndrojë e njëjtë. Ulqinakët me traditën e tyre mikpritëse për këtë sezon verorë po përgatitin bregdetin e tyre për turistët kosovarë. Kështu vlerësojnë drejtues të komunës së Ulqinit dhe biznesmenë. Ndërkaq, kosovarët tashmë me mundësitë e tyre për të udhëtuar në Evropë pa viza, sipas ulqinakëve ata prapë do të zgjedhin Ulqinin për t’i kaluar pushimet e tyre.

Sipas drejtuesve të kësaj komune, çmimet kanë pasur trend rritës edhe në Ulqin sikur në gjithë botën, por megjithatë sipas tyre, çmimet nuk janë shtrenjta për turistët. Derisa ndër kërkesat kryesore të vazhdueshme të kosovarëve në bregdetin e Ulqinit janë akomodimi në hotele të përshtatshme dhe çmime më të lira. Përpos kërkesave për pushime në bregdetin e Ulqinit kosovarët po mendojnë edhe për investime në atë pjesë. Por, prapë ata mendojnë se çmimet janë të volitshme.

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari në një prononcim për KosovaPress ka treguar se komuna e Ulqinit për sezonin veror ka investuar në bregdet dhe shumë investime kryesore në atë pjesë janë edhe në bashkëpunim me kosovarët.

Bajraktari thekson se kosovarët nuk do të ndërrojnë Ulqinin për pushimet e tyre, sepse sipas tij, Ulqini u ofron atyre siguri dhe mikpritjen të cilën nuk mund të gjejnë në asnjë shtet tjetër.

Ndërkaq, ministri i pakicave në Mal të zi, Fatmir Gjeka, tha se javët e fundit të sezonit pranveror kanë qenë përplot me turistë kosovarë dhe se kjo sipas tij, tregon se Ulqini është i kosovarëve. Ai tha se ofertat që Ulqini i ofron qytetarëve të Kosovës, nuk i ofron asnjë qytet tjetër.

Ndërsa, Edmond Paloka përfaqësues i një hoteli në Ulqin thekson se të gjitha investimet në hotelieret e Ulqinit u dedikohen turistëve kosovarë. Sipas tij, interesimi i kosovarëve për hotelet e këtij vendi është shumë i madh, ‘sa ndonjëherë nuk ka as vende të lira për ta’.

Edhe Qazim Resulbegu përfaqësues i një hoteli tjetër në Ulqin thekson se sezoni 2024 do të jetë superior për turistët dhe diasporën kosovare.

Ai thotë se kërkesa e vazhdueshme e turistëve kosovarë janë çmimet e lira, dhe për këtë arsyeje sipas tij, po përgatiten çmime të veçanta më të lira vetëm për klientelën kosovare.

Ditë më parë. me moton "Faleminderit Kosovë", ulqinakët organizuan darkën tradicionale për të shprehur falënderimet ndaj Kosovës për besnikërinë që për vite me radhë i jep vendi ynë Ulqinit dhe viseve përreth. Ulqinakët, Kosovën e konsiderojnë partnerë të pazëvendësueshëm në të gjitha aspektet, turistike, kulturore, arsimore, biznesore si dhe ato familjare./A. Drenica

https://kosovapress.com/faleminderit-kosove-ulqinaket-premtojne-mikpritje-ne-bregdet

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024