Ukraina u bëri thirrje sot aleatëve të saj të vendosin sanksione të reja ndaj Phenianit, duke thënë se Koreja e Veriut është bërë një pjesëmarrëse në luftën në Ukrainë në anën e Rusisë.
Duke folur për planin e tij të fitores, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha në parlament se shërbimet e tij të inteligjencës kishin konfirmuar se Koreja e Veriut po furnizonte Rusinë me armë dhe fuqi punëtore.
Rusia dhe Koreja Veriore kanë hedhur poshtë akuzat, por kanë thënë se do të forcojnë lidhjet ushtarake, të cilat mund të përfshijnë stërvitje të përbashkëta.
Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sibiha tha se aleatët e Kievit duhet të përgjigjen me vendosmëri, duke përfshirë vendosjen e sanksioneve të reja dhe izolimin e mëtejshëm të Phenianit, i cili është afruar më shumë me Rusinë që kur Moska pushtoi Ukrainën në shkurt 2022.Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Sean Savett, deklaroi dje, se përfshirja e trupave të Koresë së Veriut në Ukrainë, nëse është e vërtetë, do të përfaqësonte një forcim të rëndësishëm të marrëdhënieve të mbrojtjes midis Koresë së Veriut dhe Rusisë.
Uashingtoni thotë gjithashtu se Koreja e Veriut e ka furnizuar Rusinë me raketa balistike dhe municione.