Kryeministri i Ukrainës njoftoi të hënën se vendi i tij nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me BE-në për të ofruar 18 miliardë euro (19.4 miliardë dollarë) ndihmë makro-financiare.
"Ukraina dhe BE sapo kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për të ofruar 18 miliardë euro (19.4 miliardë dollarë) ndihmë makro-financiare. Ne presim të marrim një këst prej 3 miliardë euro (3.2 miliardë dollarë) këtë javë. Shumë faleminderit presidentes së Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe zëvendëspresidentit ekzekutiv i Komisionit të BE-së, Valdis Dombrovskis. Kjo do të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik në të ardhmen", tha Denys Shmyhal në një mesazh në Twitter.
Më 10 dhjetor, Këshilli Evropian miratoi një paketë ndihme që synon t'i mundësojë BE-së të ndihmojë financiarisht Ukrainën gjatë gjithë vitit 2023 me 18 miliardë euro (19.4 miliardë dollarë), e cila u miratua më vonë nga Parlamenti Evropian më 14 dhjetor 2022.
Parlamenti Evropian tha se paratë, në përputhje me një propozim të Komisionit Evropian, do të përdoren për të mbështetur shërbimet thelbësore publike, duke përfshirë drejtimin e spitaleve dhe shkollave, dhe për të siguruar strehim për njerëzit e zhvendosur, si dhe restaurimin e infrastrukturës kritike të shkatërruar nga Rusia./AA