Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë mund të ndodhin në pjesën e dytë të pranverës, thotë analisti politik, Fidan Ukaj. Sipas tij, pas paralajmërimeve të kryeministrit, Albin Kurti se është i gatshëm për shpërndarjen e Kuvendit i mbetet opozitës të iniciojë kërkesë në Kryesinë e Kuvendit për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme me të vetmen pikë, shpërndarjen e legjislativit.
Ukaj thotë për KosovaPress, se ky ndryshim i qëndrimit politik të Kurtit për zgjedhje të parakohshme vjen për shkak të presionit ndërkombëtar për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Meqenëse opozita nuk i ka numrat për shkarkimin e qeverisë Kurti, Ukaj thotë se si zgjidhje mbetet dorëheqja ose shpërndarja e Kuvendit që duhet të realizohet me dy të tretat e votave të deputetëve.
Duke folur për dialogun me Serbinë, Ukaj, adreson kritika ndaj ndërmjetësit të dialogut, përfaqësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak. Sipas tij, i njëjti e ka bllokuar procesin e dialogut, për shkak të planit të gabuar të sekuencimit të marrëveshjes bazë dhe vendosjes së kushteve për Kosovën.
Kryeministri Albin Kurti, dje në një intervistë në mediumin publik, tha se mazhoranca në Kuvend është e gatshme nëse ka kërkesë të partive opozitare për shpërndarje të Kuvendit./KosovaPress/