Në një ceremoni solemne në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, me praninë e rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, stafit akademik dhe atij administrativ, u përmbyll viti 2022, një vit që shënoi suksese të mëdha të UBT-së në sferën e arsimit, edukimit, shkencës dhe teknologjisë.
Të gjitha këto suksese u shënuan falë angazhimit dhe përkushtimit të stafit akademik dhe atij administrativ, që sipas rektorit Hajrizi, dëshmon se UBT-ja është vlerë e përbashkët e të gjithë atyre që kontribuojnë për të ndërtuar këtë ekosistem të dijes dhe inovacionit.Renditja në vendin e gjashtë në botë për revolucionin e katërt industrial nga ËURI, rangimi në mesin e universiteteve më të mira në botë nga Times Higher Education, pjesëmarrja në ngjarjen historike të nënshkrimit të versionit të ri të deklaratës “Magna Charta Universitatum”, bashkëpunime me universitete më presitigjioze dhe institucione të tjera edukativo-arsimore, vendi i dytë në botë dhe medalja e argjendtë erdhi në Kosovë nga olimpiada botërore e robotikës “First Global Challenge”, ishin disa nga arritjet dhe sukseset e UBT-së që karakterizuan vitin 2022.
Në këtë ceremoni u prezantua edhe dokumentari i shkurtër i përgatitur për UBT-në nga stafi i zyrës së Media Grup-it të UBT-së, ku u paraqitën aktivitete, njëherësh sukseset dhe sfidat e institucionit gjatë vitit 2022.