Parku Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së ishte nikoqir i forumit ndërkombëtar “Nga Çlirimi te Lidershipi: Edukimi i Gjeneratës së Ardhshme përmes Partneritetit Kosovë–SHBA”, të organizuar në kuadër të projektit “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”, pjesë e programit zyrtar ndërkombëtar për shënimin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Si partneri kryesor akademik i kësaj nisme historike në Kosovë, UBT bëri bashkë diplomatë, akademikë, ekspertë amerikanë, përfaqësues institucionalë, profesorë dhe studentë për të diskutuar mbi partneritetin strategjik Kosovë–SHBA, rolin e arsimit në ndërtimin e lidershipit demokratik dhe rëndësinë e bashkëpunimit akademik në forcimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë.
UBT i ndau profesorit amerikan Daniel Serwer çmimin institucional “Honorary Degree – Excellence in Leadership”, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm akademik, diplomatik dhe publik në ndërtimin e paqes, forcimin e institucioneve demokratike dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës dhe rajonit.
Po ashtu, Mirënjohje institucionale iu nda profesorit Edward P. Joseph, znj. Besa Tafilaj Pinchotti dhe Sgt. Maj. Mario Marquez, për angazhimin e tyre në promovimin e vlerave demokratike, partneritetit transatlantik, shërbimit publik dhe miqësisë së qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Kjo është monedha zyrtare e ‘America250’ që e sollëm nga Uashingtoni. Po jua dorëzoj këtë sepse është thjesht një shenjë e vogël vlerësimi për atë që keni bërë ju dhe për atë që ky universitet ka realizuar sot“, u shpreh Bislimi.
Themeluesi dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se jubileu i 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara përfaqëson festimin e idealeve që kanë ndikuar në zhvillimin e demokracive moderne dhe që kanë frymëzuar edhe rrugëtimin e Kosovës dhe të UBT-së.
Ai vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të të gjitha administratave amerikane ndër vite, pa dallime politike.
“Presidenti Bill Clinton, Sekretarja Madeleine Albright dhe Gjenerali Wesley Clark u bënë pjesë e historisë së Kosovës përgjithmonë. Presidenti George W. Bush mbështeti fuqishëm pavarësinë e Kosovës, ndërsa Presidenti Barack Obama vazhdoi mbështetjen për institucionet tona demokratike, siç bëri edhe Presidenti Donald Trump dhe administratat pasuese. Administratat ndryshojnë, partitë politike ndryshojnë, megjithatë një gjë mbetet konstante: miqësia e palëkundur mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, përfundoi Rektori Hajrizi.
“Disa thonë se asgjë nuk ka ndryshuar, por përgjigjja ime është: gjithçka ka ndryshuar“, tha Serwer, duke vlerësuar progresin institucional dhe zhvillimin e sistemit arsimor në Kosovë.
Profesori Edward P. Joseph, i cili ka një përvojë të gjatë me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, ndau me audiencën kujtimet e tij nga viti 1999, periudhë kur shërbente si menaxher i kampit të refugjatëve kosovarë në Fort Dix të SHBA-së. Përmes një fotografie të asaj kohe, ai pasqyroi transformimin që ka pësuar vendi që nga periudha e luftës.
Profesor Joseph vuri në dukje se roli i NATO-s ka qenë vendimtar jo vetëm për sigurimin e lirisë së Kosovës, por mbetet shtyllë thelbësore edhe për stabilitetin afatgjatë të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, ai sqaroi se procesi i integrimit dhe anëtarësimit të vendit në organizatat kryesore ndërkombëtare po bllokohet nga pengesa të jashtme politike dhe diplomatike në arenën globale.
Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Familjeve Ushtarake në SHBA (NMFA), Besa Tafilaj Pinchotti, tregoi se si përvojat e saj fëmijërore në Kosovë dhe përjetimi i luftës nga distanca e shtynë drejt angazhimit për ushtrinë amerikane. Ajo potencoi rëndësinë e mjedisit akademik për të çuar përpara marrëdhëniet dypalëshe.
Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv për Çështjet Qeveritare në “The American Legion”, organizata më e madhe e veteranëve në SHBA, Mario Marquez, evokoi kujtimet e tij nga viti 2002, periudhë kur kishte shërbyer në kuadër të misionit ushtarak në Kosovë. Ai përshkroi përvojat nga terreni dhe bashkëpunimin me banorët vendas për rindërtimin e infrastrukturës së ujësjellësit nëpër zona rurale, duke e cilësuar qëndrueshmërinë e popullit kosovar si frymëzim.
“Trashëgimia e Kosovës jeton dhe ka jetuar brenda meje gjatë gjithë jetës sime që nga viti 2002, që ishte hera e fundit që isha këtu. Ajo që njësiti ynë bëri së bashku me ata fshatarë është përkufizimi i një partneriteti të vërtetë, ku kapaciteti teknik takoi vullnetin e pandalshëm njerëzor; ne nuk u solli atyre vetëm ujin e rrjedhshëm për herë të parë, por ndërtuam një linjë jete së bashku”, deklaroi Marquez.
Përmes organizimit të këtij forumi ndërkombëtar, UBT riafirmoi rolin e tij si lider në arsimin e lartë, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke krijuar një platformë të rëndësishme për dialog, shkëmbim idesh dhe promovim të vlerave që bashkojnë Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.









