U përurua Unaza e brendshme e kryeqytetit, vlerësohet projekt madhor që lehtëson trafikun
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
U përurua Unaza e brendshme e kryeqytetit, vlerësohet projekt madhor që lehtëson trafikun
vjosa perparimi lumiri foto1234
17/05/2026 - 21:32
Linku u kopjua

U përurua Unaza e brendshme e kryeqytetit, një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore që synon lehtësimin e qarkullimit dhe përmirësimin e lëvizjes në kryeqytet.

Ceremonia e hapjes u mbajt në fund të rrugës “Nora e Hotit”, në vendlidhjen me Unazën Qendrore, pranë urës në drejtim të rrethrrotullimit të “Dukagjinit”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se projekti ka qenë një investim madhor për kryeqytetin dhe se realizimi i tij ka kërkuar punë të gjatë.

“Është një projekt madhor për kryeqytetin, që jemi duke punuar kogja një kohë të gjatë. Edhe sot po e përurojmë, po e bëjmë hapjen. Ishim edhe më poshtë, kemi përveç asfaltimit, është edhe ndriçimi, edhe pjesë për këmbësorë. Është një aks kyç për kryeqytetin, pra Unaza e Brendshme, e cila do t’i ndihmojë shumë edhe trafikut në kryeqytet. Është një prej projekteve madhore. Tash edhe do të bëjmë pak një ndryshim të lëvizjes të trafikut si rezultat edhe i këtij projekti të madh, i cili do t’i ndihmojë shumë trafikut në këtë pjesë të kryeqytetit”, tha Rama.

Ai tha se tashmë synim mbetet realizimi i Unazës së madhe të kryeqytetit, projekt që, sipas tij, ka mbetur pezull prej katër vjetësh.

Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, vlerësoi projektin si një investim që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe në përmirësimin e qarkullimit në kryeqytet.

“Kjo është një e arritur që tregon se kur punohet, kur ka vizion, kur ka projekte, qytetarëve të Prishtinës dhe të gjithë Kosovës u lehtësohet jeta. Ky është një prej projekteve, i cili vërtet e lehtëson qarkullimin në Prishtinën tonë, por, siç e tha edhe kryetari, është me rëndësi që mos të mbetet me kaq, që edhe nga niveli qendror të ketë përkrahje edhe për Unazën e Kryeqytetit edhe projekte të tjera madhore, të cilat janë të domosdoshme, duke filluar nga Prishtina, por edhe në nivel të të gjithë Kosovës”, tha Osmani.

Ndërsa, kryetari i Lidhjes  Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, tha se Unaza e Brendshme është projekt me rëndësi strategjike për kryeqytetin.

“Një projekt që, po mos të ishte bllokuar vitin e kaluar me ato vonesat financiare, do të ishte një projekt i vitit të kaluar. Por ja që punët e mbara s’të ndalen, e s’mund të ndalen asnjëherë. Jam i lumtur për këtë projekt kapital si shenjë ikonike e Prishtinës, sepse siç e dini, Unaza e Brendshme e kryeqytetit zgjidh shumë probleme të brendshme të qytetit, por le ta themi qartë, pa Unazën e Jashtme të kryeqytetit Prishtina ende është mangu. Atë që kemi zotuar tashmë si pjesë programore, e rizotojmë edhe njëherë. Pra po, do të mbështesim Unazën e Jashtme të kryeqytetit, do të mbështesim kredinë afatgjatë dhe do të mbështesim të gjitha projektet kapitale në komunën e Prishtinës”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se Prishtina meriton më shumë investime dhe premtoi mbështetje për projektet kapitale të komunës.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026