Komiteti ndër-ministror për Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz ka mbajtur sot mbledhjen e katërt në të cilin u fol mbi ecurinë e procesit të hartimit të planeve të ndërhyrjeve emergjente në kompleks.
“Nga themelimi i komitetit, gjatë vitit 2021 kemi zhvilluar së bashku hapa të rëndësishëm drejt mbrojtjes së vlerave dhe zhvillimit të master planit për Kompleksin Memorial”, tha kryeministri Albin Kurti, në hapje të mbledhjes.
Duke folur për ecurinë e procesit të hartimit të planeve të ndërhyrjeve emergjente në kompleks, kryeministri foli për vizitat në kompleks në fillim të këtij viti.
Ndërhyrjet emergjente në ndërtesën numër 4, në shtëpinë e Salë dhe Hamit Jasharit, kanë filluar në fund të dhjetorit 2021 dhe kanë përfunduar në mes të muajit mars 2022.
Në mbledhjen e sotme u diskutua në hollësi për planin dinamik të punës, të zbërthyer në objektiva, aktivitetet në afat kohor, si dhe rezultatet e punës së Komisionit të Ekspertëve për periudhën janar-mars 2022.