Sot dhe nesër në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë do të zhvillohet turneu ndërkombëtar i boksit “Adem Jashari” - edicioni i 26-të me radhë.
Tetë shtete do të marrin pjesë në këtë turne, derisa risia e këtij edicioni është pjesëmarrja për herë të parë e Francës, bëri të ditur për KosovaPress, sekretari i Federatës së Boksit, Latif Demolli.
Në mesin e tetë shteteve, Latifi tha se për herë të parë pjesëmarrëse do të jetë edhe Franca, fakt ky që garanton boks kualitativ për dy ditë me radhë.
“Kemi siguruar të sjellim tetë shtete, ndër to duhet përmendur se do të kemi edhe boksierë nga Franca, kemi Kroacinë, Sllovakinë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Kosovën dhe Holandën. Do të thotë prapë se prapë do të jenë tetë shtete dhe besoj që publiku do të jenë të kënaqur me boksin që do të ofrohet këto dy ditë në gjysmëfinale dhe finale”, tha Demolli.Për më të mirët e këtij turneu, Federata e Boksit ka paraparë edhe shpërblime.
Ai gjithashtu bëri të ditur se Federata e Boksit po planifikon që ta zgjerojë këtë turne - nga viti i ardhshëm do të zhvillohet për tri ditë me radhë - derisa pret që numri i shteteve pjesëmarrëse të shkojë deri në 20.