Trust-i rikuperon gati gjysmën e humbjeve prej 90 milionë në 55 milionë euro
Lexohet për: 2 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua
Invazioni ushtarak rus në Ukrainë Agresioni ka pasur ndikim të menjëhershëm në tregjet ndërkombëtare financiare, dhe kështu ka prekur edhe Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës-Trust.
Pas një rënie të vlerës së investimeve në shkurt prej 4 për qind ose 90 milionë euro në fondin e Trustit, në mars, sipas drejtuesve të Bordit të Trustit, gjysma e kësaj humbje është rikuperuar ose zvogëluar në 55 milionë euro ose 2.4 për qind.
Gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, kryetari i Bordit të Trustit, Ruzhdi Morina bëri të ditur se si pasojë luftës në Ukrainë ka ndikuar në performancën e Fondit të Trustit, në rënien e vlerës së investimeve të Trustit, siç tha ai në shkurt rënia ishte 90 milionë euro, derisa në mars ka pasur një trend pozitiv për rikuperimin e gjysmës së shumës së mjeteve të humbura.
“Tronditjet e mëdha të shkurtit, një pjesë janë rikuperuar, por ky vit do të jetë sfidues për Trustin për shkak të luftës në Ukrainë”, tha Morina.
Morina më tej ka folur edhe për mundësinë e tërheqjes së 30 përqindëshit nga ana e qytetarëve.
“Ne nuk dëshirojmë të përfshihemi në debatin e politik në lidhje me tërheqjen edhe të një 30 përqindëshit për qytetarët, megjithatë jemi të gatshëm që ta zbatojmë çdo vendim që sjellë kuvendi”, tha Morina.