Trupi gjykues refuzon pesë dëshmitarë të mbrojtjes së Pjetër Shalës
Trupi gjykues, në rastin kundër Pjetër Shalës, ka refuzuar pesë dëshmitarë që mbrojtja kishte parashikuar të japin dëshmi në këtë çështje gjyqësore. Kjo është bërë e ditur në konferencën përgatitore për mbrojtjen që po mbahet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjithashtu, trupi gjykues ka udhëzuar mbrojtjen që të dorëzojë një listë të përditësuar të dëshmitarëve deri të martën e 29 gushtit.
“Mbrojtja ka thënë se i duhen 48.5 orë për të marrë në pyetje dëshmitarët e saj, pas heqjes nga lista e të pesë dëshmitarëve trupi gjykues konstaton se është e përshtatshme të jepen 40.5 për mbrojtjen për paraqitjen e provave të veta. Kjo nuk cenon faktin që turpi gjykues të rishikojë kohën e dhënë”, ka thënë kryegjykatësja Mappie Veldt Foglia.
Pjetër Shala por merr pjesë në këtë konferencë përmes videolidhjes nga qendra e paraburgimit në Hagë ku po qëndron prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.