Presidenti amerikan, Donald Trump, tha për ABC News se ai pret që të arrihet një marrëveshje me Iranin për zgjatjen e armëpushimit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda javës së ardhshme.
Duke folur përmes telefonit me korrespondentin në Uashington të ABC News, Jonathan Karl, më 1 qershor, Trump tha se një marrëveshje e paqes mund të jetë “edhe më e mirë sesa një fitore ushtarake”.
Ka pasur, tha presidenti, “armiqësi të mëdha” nga Irani.
“Nuk është gjë e lehtë për ta. Në fakt, nuk është e lehtë as nga pikëpamja jonë. Por, ne po bëjmë aq që duhet bërë”, tha Trump, transmeton REL, përcjell KosovaPress.Udhëheqësi amerikan tha se një marrëveshje nuk është arritur deri më tani sepse “më duhet të siguroj edhe disa pika të tjera”.
Ditëve të fundit, Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë këmbyer sulme, me forcat amerikane që njoftuan për sulme “vetëmbrojtëse” ndaj caqeve iraniane dhe Irani la të kuptohet se kishte sulmuar një bazë amerikane në Kuvajt.
Ngushtica e Hormuzit është një rrugë jetike detare përmes së cilës kalon pothuajse pothuajse 20 për qind e furnizimit botëror me naftë nga Gjiri drejt tregjeve ndërkombëtare.