Ish-presidenti amerikan, Donald Trump prezantoi të shtunën një linjë atletesh, një ditë pasi ai dhe kompanitë e tij u urdhëruan nga një gjykatës të paguanin afro 355 milionë dollarë për mashtrim civil në Nju Jork.
Trump prezantoi "Trump Sneakers" në Sneaker Con në Filadelfia. Atletet ngjyrë floriri, të cilat kanë çmimin 399 dollarë, Trump i quajti "NEVER SURRENDER HIGH-TOP SNEAKER" në podium ndërsa fliste.
Deri në mbrëmjen e së shtunës, atletet prej 399 dollarësh u renditën si të shitura në faqen e internetit. Sipas uebsajtit, kishte pasur 1000 palë atlete në dispozicion për blerje.
Ish-presidenti po shet gjithashtu dy versione të atleteve me mbishkrime "T" dhe "45" anash për 199 dollarë, sipas faqes së internetit. Kolonja dhe parfumi shiten me 99 dollarë secili.
Zëdhënësi i fushatës së Bidenit, Michael Tyler, kritikoi ashpër paraqitjen e Trump në Sneaker Con.
Pas paraqitjes së tij në Sneaker Con, Trump pritet të shkojë në Michigan për t'iu drejtuar mbështetësve për herë të parë që kur vendimet në çështje të veçanta të Nju Jorkut vunë në qendër të vëmendjes rrezikun ligjor me të cilin përballet në shumë fronte.