Presidenti amerikan Donald Trump do të marrë pjesë në një lexim publik të Biblës këtë javë, ndërsa administrata vazhdon të integrojë fenë, veçanërisht Krishterimin, në punët zyrtare.
“Më 21 prill, Presidenti Trump është planifikuar të lexojë Shkrimin e Shenjtë nëpërmjet një videomesazhi nga Zyra Ovale gjatë orës 6 pasdite sipas kohës lindore”, thuhet në një njoftim për shtyp nga organizatorët. Eventi quhet “Amerika Lexon Biblën”.
Në videomesazhin, Trump, sipas organizatorëve, do të lexojë një fragment nga 2 Kronikave 7:11-22, i cili përfshin vargun 14 të cituar shpesh: “Nëse populli im, i cili thirret me emrin tim, do të përulet, do të lutet, do të kërkojë fytyrën time dhe do të kthehet nga rrugët e tij të liga, atëherë unë do ta dëgjoj nga qielli, do ta fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij.”
Vargu tërhoqi vëmendjen e publikut edhe kur themeluesi i “Cowboys for Trump”, Couy Griffin , u lut mbi turmën në trazirat e Kapitolit të SHBA-së më 6 janar 2021.Themeluesi dhe presidenti i Christians Engaged, Bunni Pounds, i cili ndihmoi në organizimin e eventit, i tha Fox News se ata “kishin nevojë për dikë të veçantë për të lexuar kapitullin e shtatë të Kronikave të Dyta” dhe se e kishin lënë mënjanë fragmentin që Trump ta lexonte.
Margaret Susan Thompson, profesoreshë e historisë dhe shkencave politike në Shkollën Maxwell në Universitetin e Syracuse, i tha CNN se vargu është parë nga shumë të krishterë ungjillorë si një "justifikim për t'i bërë thirrje Zotit që të bekojë kombin e tyre".
Trump e gjeti veten në qendër të dy çështjeve fetare javën e kaluar, të cilat filluan me një grindje me Papa Leon, i cili është shprehur kundër luftës me Iranin.
Papa tha në përgjigje se "nuk ka frikë nga administrata Trump".