Dy persona janë qëlluar për vdekje dhe 14 të tjerë janë plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë, nga të shtënat në një klub nate dhe rrugët aty pranë në Oslo të Norvegjisë. Policia tha se është duke trajtuar rastin si një sulm terrorist.
Të shtënat u dëgjuan rreth orës 23:00 në tre lokacione në lokal “London Pub” i njohur si vendtakim për homoseksualët, pranë një klubi të xhazit “Herr Nilsen” dhe një tjetër lokali me ushqim që funksionon me shërbim “merr me vete”.
Mediat norvegjeze raportuan se tashmë është anuluar edhe parada vjetore e krenarisë, e cila ishte planifikuar të mbahej të shtunën.
Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Stoere e quajti rastin si një "sulm të tmerrshëm dhe thellësisht tronditës ndaj njerëzve të pafajshëm".
Një grua i tha gazetës Verdens Gang se personi i armatosur kishte goditur me kujdes objektivat e tij.
"Kur kuptova që ishte serioze, vrapova. Në dysheme ishte një burrë i mbuluar me gjak i palëvizshëm", tha ajo.
Ministrja e Drejtësisë e Norvegjisë Emilie Enger Mehl tha se incidenti kishte tronditur vendin.
"Norvegjia është një vend ku të gjithë duhet të ndihen të sigurt gjatë një mbrëmje të së shtunës", tha ajo, sipas NRK.