Fletarrestim ndërkombëtar për Artan Grubin e Përparim Bajramin
Rajoni
Lexohet për: 3 min.
Fletarrestim ndërkombëtar për Artan Grubin
2 orë më parë
Linku u kopjua

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka publikuar fletarrestimet ndërkombëtare të lëshuara për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, të cilët besohet se janë larguar nga vendi.

Fletarrestimet janë lëshuar të mërkurën nga Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut, pas kërkesës së Gjykatës Themelore, e cila më 17 dhjetor propozoi edhe masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarit.

Grubi dhe Bajrami akuzohen “për përvetësim të pasurisë së paligjshme”, nga Lotaria Shtetërore, ndërsa dëmi i shkaktuar vlerësohet të jetë rreth 8.2 milionë euro.

Sipas Prokurorisë, Grubi, si i dyshuari i dytë në këtë rast, ka mundësuar një procedurë të paligjshme për furnizimin me terminale, ndonëse ishte në dijeni se Lotaria Shtetërore nuk kishte autorizim për të organizuar lojëra elektronike të fatit në mënyrë të pavarur brenda territorit të Maqedonisë së Veriut.

Policia bastisi shtëpitë e Grubit dhe Bajramit ditë më parë, mirëpo ata nuk u gjetën. Grubi, i cili më 9 dhjetor u fut në listën e zezë të SHBA-së për korrupsion, i ka mohuar akuzat për arratisje, duke deklaruar se ndodhet jashtë vendit për një "vizitë private". Ai ka shtuar për këtë vizitë e ka informuar edhe sigurimin e tij personal policor.

Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski, ka njoftuar se Artan Grubi së bashku me një biznesmen “është larguar nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Kosovës, më 15 dhjetor, me një veturë me targa diplomatike”, kurse për Bajramin, ka theksuar se “për një kohë të gjatë është jashtë territorit të Maqedonisë së Veriut”.

Ndryshe, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë marrëveshje ekstradimi, e cila është nënshkruar në vitin 2011.

Grubi, ish-deputet, tanimë edhe ish-anëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), në opozitë, rrezikon të dënohet deri në pesë vjet burg nëse shpallet fajtor.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se më 13 dhjetor u ngritën padi penale edhe ndaj gjashtë personave të tjerë, të dyshuar për veprat – “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje ryshfeti”, dhe “keqpërdorim të procedurës për thirrje publike, ndarje të marrëveshjeve për furnizim publik ose partneritet publiko-privat”, në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut.

Në mesin e të dyshuarve janë edhe ish-kryeministri dhe ish-lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Dimitar Kovaçevski, si dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, të cilët akuzohen për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024