“Tronditëse”, kryediplomati shqiptar dënon deklaratën e ministres serbe për ‘spastrimin etnik’ në Kosovë
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
“Tronditëse”, kryediplomati shqiptar dënon deklaratën e ministres serbe për ‘spastrimin etnik’ në Kosovë
Ferit Hoxha
Foto Arkiv
14/07/2026 - 16:05
Linku u kopjua

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Ferit Hoxha, ka reaguar ashpër pas deklaratës së ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të kishte qenë në vend të Slobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”.

Përmes një reagimi në platformën X, Hoxha e cilësoi këtë deklaratë si të papranueshme, tronditëse dhe një fyerje të rëndë për viktimat e luftës, duke theksuar se relativizimi dhe normalizimi i krimeve kundër njerëzimit bie ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa.

“Deklarata e një anëtari të qeverisë së Serbisë, që shpreh publikisht keqardhje që në Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh, është e papranueshme, tronditëse dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës. Relativizimi dhe normalizimi i një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, krime të dënuara nga historia, nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga vetë ndërgjegjja njerëzore, bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa e sotme”, shkroi Hoxha.

Sipas tij, deklarata të tilla dëmtojnë përpjekjet për pajtim dhe bashkëpunim në rajon, ushqejnë mosbesimin dhe urrejtjen, si dhe rihapin plagët e luftës që ende nuk janë shëruar.

Ministri shqiptar theksoi gjithashtu se askush nuk mund të ndërtojë besim duke rikthyer “hijet më të errëta të së kaluarës”, aq më tepër duke lartësuar politika dhe figura që mbajnë përgjegjësi për krime dhe tragjedi në Ballkan.

“Askush nuk mund të ndërtojë besim duke rikthyer hijet më të errëta të së kaluarës, aq më pak duke lartësuar politika dhe figura që mbajnë përgjegjësi për tragjedi, vuajtje dhe krime që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e rajonit tonë siç është “kasapi i Ballkanit”. Procesi i normalizimit dhe i pajtimit, për të cilin Kosova, Serbia dhe i gjithë rajoni ynë kanë aq shumë nevojë, kërkon para së gjithash përgjegjësi, reflektim dhe guxim për t’u përballur me të kaluarën.  Ai nuk mund të ndërtohet kurrë mbi deklarata që justifikojnë apo lartësojnë politikat që sollën aq shumë dhimbje e shkatërrim, por vetëm e vetëm mbi të vërtetën, respektin për viktimat dhe angazhimin e sinqertë për një të ardhme të përbashkët evropiane”, shkruan Hoxha në X.

Bashkimi Evropian ka dënuar të martën deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Në konferencën për media, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se BE-ja nuk komenton deklarata individuale, por theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik.

Reagim pati edhe Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës (IKKL), i cili theksoi se deklarata e ministres serbe rikthen në vëmendje diskursin që lidhet me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit në Kosovë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026