Tromp: Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të zgjasë edhe 3-4 vjet
Lexohet për: 4 min.
nevenka-tromp-080124
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Hagë do të zgjasë së paku tri deri në katër vjet, thotë Nevenka Tromp, hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

Për shtatë vjet e gjysmë, ajo shton se janë paditur vetëm gjashtë persona dhe se vetëm një rast është finalizuar. Ajo thotë se gjatë vitit të kaluar u bë e qartë se Dhomat e Specializuara nuk po punojnë në aktakuza të reja dhe se këtë vit pritet përfundimi i gjykimit të Pjetër Shalës.

Në një intervistë për KosovaPress, Nevenka Tromp komenton edhe vendimin e Apelit për rastin e Salih Mustafës, për çka konsideron se gjykata ka prezantuar një praktikë të rëndë të dënimit.

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë filluar zyrtarisht punën në maj 2015. Për shtatë vjet e gjysmë, Tromp thotë se është shqiptuar vetëm një aktgjykim.

“Në shtatë vjet e gjysmë, nga gjashtë të paditur që u gjykuan në tri gjykime të ndryshme, vetëm një është finalizuar plotësisht. Gjykimi i dytë, që përfshin individin Pjetër Shala, me siguri do të finalizohet. Pra, në tetë vjetët e punës së Tribunalit, të Dhomave të Specializuara të Kosovës do të kemi dy aktgjykime. Sa i përket katër individëve, në të ashtuquajturin gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, këta katër individë po gjykohen. Hapja e këtyre gjykimeve ishte në prill të vitit 2023 dhe nëse mund të gjykoni se sa i shpejtë ka qenë rasti i Salih Mustafës, dhe sa i shpejtë ishte (rasti i) Pjetër Shalës, atëherë mund të presim që gjykimi i Hashim Thaçit dhe të tjerëve të zgjasë së paku edhe tri deri në katër vjet”, deklaron Tromp.

Nevenka Tromp, e cila shkroi librin “Gjykimi i papërfunduar i Millosheviqit”, shton se Dhomat e Specializuara nuk po punojnë me aktakuza të reja.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Gruaja, e cila punoi për shumë vjet në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi, teksa flet për drejtësinë e këtij institucioni, thotë se po bën histori juridike interesante.

Tromp konsideron se dënimi për Salih Mustafën është praktikë e rëndë që gjykata e ka prezantuar.

Krahas kësaj, Tromp thotë se në rasti i Mustafës konsiderohet si “drejtësi e ashpër” dhe se dënimi maksimal për krime lufte është 15 vjet.

Ligjëruesja pranë Universitetit të Amsterdamit flet edhe për kohëzgjatjen e gjykimit, për çka konsideron se bazuar në kohën për të cilën po bëhen hetimet, gjykimet duhet të përfundojnë në kohë më të shpejtë.

Tromp pret që gjatë këtij viti të përfundojë rasti i Pjetër Shalës.

Me 3 gusht 2015, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, me seli në Hagë. Në këtë institucion, që funksionon me ligje të Kosovës, shërbejnë prokurorë e gjykatës të huaj. Kjo gjykatë heton krimet e pretenduara të luftës në Kosovë, për një periudhë kohore nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

Në Gjykatën Speciale deri tani janë gjashtë persona të akuzuar për krime të pretenduara të luftës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala e Salih Mustafa. Për këtë të fundit, Apeli ka vendosur dënimin prej 22 vjetësh./Sh.Pajaziti

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024