Tri monumente të heroit kombëtar Gjergj Kastriot-Skënderbeu iu shtuan sot komunave arbëreshe në Kalabri - San Sofia, San Basile dhe Zangarona. Pothuajse në çdo qendër te fshatrave arbëreshe ngrihet busti i Heroit Kombëtar si simbol që mban gjallë identitetin arbëror. Në këtë kontekst, ceremonia e sotme e inaugurimit të busteve në të tre komunat bëri bashkë presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, banorët arbëreshë, autoritetet lokale, shqiptarë të Shqipërisë të ikur pas viteve ’90 si edhe personalitete nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Italia. Presidenti Begaj i cili i dhuroi arbëreshëve dy buste, shprehu falënderim ndaj pjesëmarrësve në këtë festë kombëtare.
”Kam ardhur të mbaj fjalën që ju dhashë tetorin e kaluar, sepse për ne shqiptarët, fjala e dhënë nuk është mit, por realitet. Është vizita e dytë në Kalabri dhe kjo vizitë më mbush me krenari për faktin që të gjitha institucionet italiane, duke filluar nga presidenti i rajonit të Kalabrisë, prefektet e këtyre komunave dhe e gjithë media janë interesuar dhe kanë promovuar gjithçka në lidhje me Arbërinë. Patjetër që projekti Arbëria dhe Shqipëria, tashmë edhe Kosova dhe shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut apo në Malin e Zi, do të kenë një bazë të shëndetshme për të zhvilluar marrëdhëniet e tyre”, ka thënë Begaj. Kreu i shtetit shqiptar theksoi se do të vijojë të japë ndihmën e tij, frymëzuar nga modeli i arbëreshëve i vlerësimit dhe promovimit të historisë aq të rëndësishme për ruajtjen e identitetit përballë sfidave te kohës. Duke vlerësuar figurën e Skënderbeut, si strateg që përcaktoi të ardhmen e popullit tonë drejt Evropës, presidenti Begaj u shpreh se edhe sot ai është simbol për të gjithë shqiptarët kudo janë. Ndërkohë në San Basile, ceremonia u shoqërua dhe me një ekspozitë fotografike të artistit Vlasov Sulaj mbi rrugëtimin nga Shqipëria në Kalabri të monumentit të punuar nga skulptori Ardian Pepa.