Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj deklaroi se kryeministri Albin Kurti nisi fushatën zgjedhore me sjelljen e tij në takimin në Bruksel.
Në një intervistë për A2 CNN, ish-kryeministri u shpreh se mosgatishmëria e Kurtit për t’u takuar me presidentin serb Aleksandër Vuçiq ishte për konsum të brendshëm.
Haradinaj deklaroi se fatura për teket e Kurtit do t’i faturohet Kosovës, e cila ndodhet nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian.
“Kurti vetëm për efektin zgjedhor, për populizmin e tij, po e dëmton Kosovën, do t’i adresohet Kosovës faji për mos ecjen përpara, ka shumë zhvillime që ndodhin për Kosovën, rreth Kosovës, të cilat në e pësojmë nga sjellja e Kurtit për katër vjet rresht tash.”
“Interesi i Kosovës duhet të vendoset para efekteve zgjedhore, këtë s’e bën Kurti, e kemi parë se është populist dhe mashtrues enorm, edhe me këtë i mashtroi qytetarët thotë ‘ja unë i vendosa kushte’, ai e kishte këtu Radoiçiqin, por nuk e ndali, tash thotë i vendosa kushte, krejtësisht për efekte zgjedhore.”