Tri doza vaksine për të hyrë në Kosovë, protestë në Morinë: Boll s’e kemi parë njëri-tjetrin për 40 vjet
Lexohet për: 3 min.
protestaa
2 vite më parë
Linku u kopjua

Një grup qytetarësh nga Kukësi protestuan sot në pikën kufitare të Morinit që lidh Shqipërinë me Kosovën. Arsyeja është vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës që për shtetasit e huaj kërkon tri doza vaksine ose dy si dhe testin PCR jo më të vjetër se 48 orë për të hyrë në vendin tonë. Kjo ka ngjallur revoltë tek kuksianët që lëvizjen e tyre drejt Prizrenit e kanë të përditshëm.

“Kam dalë të shkoj në Kosovë, Kosova është Shqipëri, jo Kosovë. Jemi bashkë ne. Dola që pardje kam bërë llafe se jam duke i rregulluar dhëmbët në Kosovë. Nuk më lanë. Dy doza i pata, tha shko bëji tre ose tamponin. Edhe nuk më la”, tha një i moshuar.

Një tjetër qytetar tha se në Prizren ka motrën dhe nipat si dhe shkon tek ata për shumë arsye.

“Unë kam motër, kam njerëzit e mi, nipa e stërnipa në Prizren e dua të shkoj edhe për qejf edhe për dert, edhe për ndonjë sëmundje, ndonjë vdekje, ne kemi hyrje-dalje me ta. Dua të shkoj në shtëpi timen. Sot ne të gjithë këta që kemi dalë për të protestuar sepse nuk po a lënë të shkojmë të shohim njerëzit tanë”, tha ai.

Protestuesit kërkuan që Qeveria e Kosovës të rishikojë me urgjencë vendimin dhe ta heqin të njëjtin.

“Në këtë të ftohtë ne kemi thirrur një protestë paqësore që t'i kërkojmë Qeverisë së Kosovës që të lehtësojë lëvizjen e lirë të popullsisë shqiptare, Shqipëri-Shqipëri, Dhe ne i kërkojmë me çdo kusht Qeverisë së Kosovës që të na heqin barrierat, vaksinimin, sidomos vaksinën e tretë, të na heq tamponin, të na heqin lëvizjet për njerëzit, të mos kërkojë tamponë për një vizitë te farefisi ynë, se boll 40 vjet nuk i pamë më sy e tash prape po na del pas 40 vitesh sot po bëjmë 110-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar dhe prape po na dalin barriera”, tha një tjetër protestues.

Një tjetër qytetar që po kërkonte të shkonte ne Prizren për arsye familjare, tha se vaksinën e tretë nuk kanë të drejtë ta bëjë gjithkush, por vetëm personat mbi 60-vjeç ose ata me sëmundje kronike.

“Sot kemi dal sepse na ka bllokuar Qeveria e Kosovës për të mos shkuar në Prizren. Na në Prizren kemi dalë që 30 vjet pas mbarimit të luftës, shyqyr që erdhi ajo ditë, sot po na bllokojnë me mënyra të ndryshme. Tre vaksina ne nuk kemi të drejtë t'i bëjmë, sepse sipas Këshillit Ekspertëve ka thënë mbi moshën 60-vjeç ose ata nën 60-vjeç me sëmundje kronike. Ne s'kemi të drejtë të marrim tri vaksina. Ne kemi farefis, ne shkojmë për mirë, edhe për qejf, sot qeveria e Albin Kurtit të na bllokojë në këtë mënyrë nuk është normale, nuk i ka hije”, tha ai.

Reagime kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës që kërkon tri doza vaksine për të hyrë në Kosovë e kanë kundërshtuar edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës si dhe ata në Maqedoninë e Veriut.

https://kosovapress.com/admin/shtetasit-e-shqiperise-te-zhgenjyer-me-masat-e-qeverise-per-hyrje-ne-kosove/
https://kosovapress.com/admin/msh-qytetaret-e-kosoves-ne-hyrjet-kufitare-nuk-ka-nevoje-ti-kene-tri-doza-te-vaksines/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025