99 përfitues për përkrahjen e bizneseve nga komuniteti joshumicë kanë nënshkruar të martën kontratat në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Në ceremoninë e nënshkrimit të këtyre kontratave ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se pakoja prej 3 milionë euro do t'u ndahet përfituesve të ndryshëm, të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Kryeministri Kurti theksoi se nga e njëjta pako kanë përfituar më parë 57 organizata të shoqërisë civile të angazhuara në realizimin e projekteve sociale dhe kulturore, ndërsa 103 fermerë të vegjël janë mbështetur me pajisje moderne bujqësore.
Më tej, Kurti theksoi se në buxhetin e shtetit për komunat me shumicë serbe për këtë vit janë planifikuar gjithsej 149 projekte kapitale.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq tha se personat përfitues kanë të drejta dhe obligime.
Më tej, ai theksoi se janë të përkushtuar që viti i ardhshëm të jetë më i rëndësishmi sa i përket stimulimit të komuniteteve në Kosovë. /Sh.Pajaziti/