Tre amerikanë në mesin e të liruarve nga burgjet ruse në një këmbim historik të burgosurish
Lexohet për: 4 min.
f32f3f3
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Tre shtetas amerikanë dhe një person me leje qëndrimi në Shtetet e Bashkuara, janë në mesin e 16 të burgosurve politikë që u liruan nga burgjet ruse në një këmbim të madh të burgosurish që ndodhi të enjten ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Në mesin e të burgosurve të liruar janë gazetari i Wall Street Journal Evan Gershkovic, ish marinsi amerikan Paul Whelan, gazetarja e Radio Evropa e Lirë Alsu Kurmasheva dhe disidenti rus Vladimir Kara-Murza.

Ky këmbim po cilësohet si historik pasi është më i madhi i këtij lloji mes Uashingtonit dhe Moskës pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Këmbimi u mundësua përmes një marrëveshjeje mes një numri shtetesh të tjera dhe pas vitesh negociatash të fshehta, të zhvilluara prapa skenave me gjithë marrëdhëniet e acaruara mes SHBA-së dhe Rusisë, për shkak të agresionit në Ukrainë.

Është hera e parë që një marrëveshje e tillë për këmbim të burgosurish përfshin edhe lëshime të mëdha nga shtetet e tjera, respektivisht nga shtatë shtete që ranë dakord të lirojnë 24 të burgosur.

Presidenti amerikan Joe Biden tha se brenda disa orësh shtetasit amerikanë do të kthehen në Shtetet e Bashkuara.

Këmbimi i të burgosurve u bë në Turqi. Biden dhe familjarët e të burgosurve amerikanëve biseduan me telefon me ta nga Zyra Ovale në Shtëpinë e Bardhë.

Krahas këtyre u liruan nga Rusia edhe 12 të burgosur të tjerë, 5 gjermanë dhe 7 rusë. Ata u këmbyen me tetë individë që ishin duke vuajtur dënime me burg në Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Poloni, Norvegji dhe Slloveni, që u kthyen në Rusi.

Presidenti Biden tha se marrëveshja që siguroi lirimin e tyre “ishte rezultat i diplomacisë” dhe tha se në mesin e të liruarve “ka gra dhe burra që janë mbajtur padrejtësisht me vite.”

“Të gjithë kanë kaluar nëpër vuajtje të paimagjinueshme dhe pasiguri. Sot agonisë së tyre i erdhi fundi,” deklaroi Biden.

Ai më tej tha se do të vazhdojë angazhimin “derisa çdo amerikan që është i arrestuar padrejtësisht, apo që mbahet peng në botë të ribashkohet me familjen e vet.”

Presidenti Biden tha se administrate e tij deri më tani ka siguruar kthimin e mbi 70 amerikanëve të tillë.

Pala ruse mori në këmbim Vadim Krasikovin, i dënuar në Gjermani në vitin 2021 për vrasjen e një ish kryengritësi çeçen në një park në Berlin, në mes të ditës dhe vetëm disa minuta larg parlamentit gjerman dhe zyrës së kancelares gjermane të atëhershme Angela Merkel, me gjasë me urdhrat e shërbimit rus të zbulimit. Qeveria gjermane tha të enjten se lirimi i atentatorit Krasikov nuk ishte vendim i lehtë.

“Detyrimi ynë të mbrojmë shtetasit gjermanë dhe solidarizimi me SHBA-të ishin motive të rëndësishme,” deklaroi qeveria gjermane.

Në mesin e të liruarve rusë ishin edhe dy agjentë të dyshuar që u arrestuan në Slloveni si dhe tre të tjerë të dënuar nga autoritetet amerikane për aktivitete të jashtëligjshme.

Këmbimit të së enjtes i parapriu spekulimeve të javëve të fundit, përfshirë rreth gjykimit dhe dënimit me procedurë të shpejtuar ndaj dy gazetarëve amerikanë. Po ashtu gjatë ditëve të fundit, disa figura të tjera të arrestuara në Rusi për shkak të kundërshtimit të tyre publik ndaj luftës në Ukrainë apo për shkak të bashkëpunimit me disidentin rus tashmë të vdekur Alexey Navalny u transferuan në vendndodhje të panjohura. /VoA

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024