Mos trajtimi adekuat i zgjebës, apo siç njihet në Kosovë si zhuga, po konsiderohet si faktori kryesor që po ndikon në përhapjen e saj. Derisa, po vlerësohet se kjo sëmundje e lëkurës vazhdon të stigmatizojë qytetarët e vendit tonë, ngaqë mendohet se zgjeba është sinonim i pa pastërtisë.
Kështu thotë dermatologia në Klinikën e Dermatologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Fatime Kokollari në një intervistë për KosovaPress, derisa tregon se aktualisht në këtë klinikë është i hospitalizuar një pacient me këtë parazit.
Si shqetësues, Kokollari konsideron faktin se të prekurit me këtë sëmundje të lëkurës nuk po i përfillin këshillat e profesionistëve shëndetësorë. Ajo thotë se nëse vetëm një anëtar i familjes infektohet nga skabiesi, duhet të trajtohen edhe anëtarët e tjerë njëkohësisht, në mënyrë që paraziti të mos shpërndahet.
Ndër të tjera, dermatologia Kokollari potencon se zgjeba mund të zgjasë përjetësisht tek një person nëse nuk trajtohet siç duhet, derisa shton se mjekimi për skabiesin është një javor.
Ndërkaq, lidhur më atë nëse zgjeba vjen si shkak i pa pastërtisë, Kokollari thotë se një gjë e tillë nuk qëndron, pasi sipas saj të dhënat kanë treguar se edhe në vendet e zhvilluar ka tendencë për përhapje të saj.
Ajo tregon se pacientët ndihen keq kur iu thuhet se janë të infektuar me zgjebë, ngaqë sipas saj ata stigmatizohen nga të tjerët.
Zgjeba është një sëmundje e lëkurës e cila shkaktohet nga një parazit, i cili provokon një reaksion mbrojtës nga ana e organizmit, të manifestuar me puçrra të kuqe në lëkurë, që pasojnë me kruarje. /Z.Zeneli/
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...