Trajtimi i personave me nevoja të veçanta mbetet sfidë për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Kështu thotë raporti i Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) me temën “Të drejtat e njeriut në institucionet korrektuese në Kosovë”.
Drejtoreshja e QKRMT-së, Feride Rushiti u shpreh sot se objektiv i këtij monitorimi është të identfikohen shkeljet, me të cilat po ballafaqohen të dënuarit dhe mangësitë e sistemit korrektues.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu tha se trajtimi i personave të privuar nga liria është i rregulluar sipas standardeve evropian dhe vazhdojnë përpjekjet për të përmirësuar këtë rregullim, me qëllim që të burgosurit të trajtohen me dinjitet.
Ai tha se ligjet e miratuara për SHKK-në kanë mundësuar rikthimin e disa të drejave shtesë që iu kishin kufizuar të burgosurve.
Ai theksoi se tashmë me rregullimet legjislative të ndërmarra po hartojnë edhe rregullore sipas standardeve.
Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) deklaroi se në përgjithësi ka ekzistuar klimë e mirë në mes të burgosurve dhe stafit korrektues.
Sfidë mbetet edhe trajtimi i personave të varur nga narkotikët.
Ajo tha se janë bërë hapa për parandalimin e kontrabandës, por megjithatë, sipas saj, kontrabanda është prezente në burgje.