Fitorja ndaj Prishtinës në ndeshjen e parë të sezonit pranveror ka shtuar apetitet dhe entuziazmin të skuadra e Malishevës.
Skuadra e trajnerit Arsim Thaçi triumfoi ndaj kampionit aktual të Kosovës me rezultat 2-1 dhe një sukses i tillë ka bërë që motivi brenda kësaj skuadra të rritet edhe më shumë.
“Me vet faktin që e kemi fituar ndeshjen e parë kundër kampionit aktual, atëherë normal që gjendja e lojtarëve është shumë e mirë, sidomos motivi tash pas kësaj fitore normal që është në rritje e sipër kështu që presim tani ndeshjet tjera me radhë. Shpresojmë që të kemi fatin e njëjtë si ndeshjen me Prishtinën që gjërat të shkojnë ashtu siç i kemi planifikuar dhe normalisht që do të ishte historike që këtë vit Malisheva të jetë të paktën edhe vitin e ardhshëm të jetë pjesë e Superligës së Futbollit të Kosovës”, tha Thaçi.
Më tej Thaçi thotë për KosovaPress se ardhja e Fidan Gërbeshit, Xhevdet Shabanit, Behar Maliqit dhe Labinot Ibrahimit gjatë afatit kalimtar të janarit ka rritur përvojën brenda KF Malishevës dhe tani po synohet që të arrihet një rezultat pozitiv edhe në sfidën direktë për mbijetesë, atë kundër Ulpianë në këtë vikend.
Fitoren ndaj Prishtinës nuk e ka shijuar edhe aq shumë mesfushori Mërgim Pefqeli. Ai ishte pjesë e kampionit aktual para se t’i bashkohej Malishevës dhe në momentin e realizimit të golit nuk festoi. Kjo për shkak se, siç thotë ai, Prishtina është skuadra që mbetet në zemrën e tij.
“Kjo fitore ndaj Prishtinës ka qenë shumë e rëndësishme mbase ekipet tjera që jemi në të njëjtin nivel, në fundin e tabelës kanë humbur, kjo është përparësi për ne që të mundemi sa më shpejtë të ikim nga fundi i tabelës...Normal ndjenja është e mirë që të arrij fitore për Malishevë, por për mua është ndjenjë e keqe sepse unë kam lindur dhe jam rritur në atë klub dhe ndjenjë e keqe sepse kam dëshirë që të luajë në atë klub dhe e kam në zemër atë klub”, tha Pefqeli.
“Ndeshja e ardhshme kundër Ulpianës, do të mundohemi që ta respektojmë maksimalisht Ulpianën, por qëllimet tona dihet që nga ndeshja në ndeshje të arrijmë rezultatet maksimale dhe ta sigurojmë ekzistencën sa më herët që është e mundur...Duke parë fondin e lojtarëve momentalisht që është besoj që do ta sigurojmë ekzistencën në Superligën e Kosovës”, theksoi Maliqi.
Pas 19 xhirove të zhvilluara, Malisheva ka mbledhur 22 pikë dhe renditet në vendin e shtatë në tabelën e Superligës së Kosovës, vetëm tri pikë larg zonës së rrezikshme për rënie nga kategoria elitare e futbollit kosovar.