Legjenda e Romës, Francesco Totti beson se Daniele De Rossi rrezikon të përfundojë si José Mourinho nëse Roma nuk lufton për një vend në Champions League këtë sezon.
Totti paralajmëron mikun dhe ish-bashkëlojtarin e tij Daniele De Rossi se ai mund të shkarkohet nga Roma si paraardhësi i tij Mourinho nëse “Giallorossët” nuk do të përfshihen në garën për katër më të mirët në Serie A këtë sezon.
“Pa luftuar për Ligën e Kampionëve, De Rossi do të shkojë më herët; ai nuk do të arrijë deri në fund. Së pari, Daniele duhet ta respektojë veten. Ai duhet të flasë me anëtarët e stafit dhe me njerëzit e afërt, me ata që mund ta ndihmojnë dhe të përpiqet ta bëjë të kuptojë gabimet. Daniele ka një grup të fortë dhe shpresoj se do t'ia dalë sepse e njeh mirë mjedisin.”, ka shtuar Totti, përcjellë KosovaPress.
Roma bëri disa blerje të mëdha këtë verë, duke përfshirë Matias Soulé nga Juventusi për rreth 30 milionë euro dhe Artem Dovbyk nga Girona për një tarifë edhe më të lartë.