Tifozët e Lyonit nuk do të mund të udhëtojnë për ta shikuar ndeshjen kundër Marseille në Ligën 1, për shkak të rrezikut serioz të përplasjes mes dy tifozërive, ka thënë Ministria e Brendshme franceze.
Ndeshja e cila ishte paraparë të zhvillohet më 29 tetor, ishte pezulluar për shkak se autobusi i skuadrës së Lyonit ishte goditur me gurë, duke e lënduar tanimë ish-trajnerin Fabio Grosson, kur lojtarët po hynin në “Stade Welodrome”, raporton KosovaPress.
“Të mërkurën e 6 dhjetorit nga mëngjesi e deri pasmesnate, transporti individual ose kolektiv i cilitdo njeri që pretendon të jetë tifoz i Lyonit, ose që sillet si i tillë, është i ndaluar brenda institucioneve të departamentit Rhone dhe komunës së Marseille”, shkruhej në komunikatën e Ministrisë së Brendshme të Francës.
Po ashtu, në komunikatë thuhej se ekziston një rrezik real dhe serioz për një përplasje mes mbështetësve të dy klubeve për shkak të armiqësisë që ata ndjejnë ndaj njëri-tjetrit.