Gazetari i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, ka ndarë detaje lidhur me intervistën e realizuar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë.
Martens, në rrjetin social x ka bërë të ditur se një intervistë ballë për ballë nuk ka qenë e mundur, prandaj pyetjet janë dorëzuar me shkrim në gusht të vitit 2025, ndërsa përgjigjet janë miratuar nga gjykata vetëm pas një periudhe prej katër muajsh.
‘’Një intervistë ballë për ballë nuk ishte më e mundur. Pyetjet duhej të dorëzoheshin me shkrim dhe përgjigjet do të publikoheshin vetëm pas shqyrtimit nga tribunali, më thanë. Një intervistë pa mundësinë e pyetjeve kritike pasuese nuk është vërtet një intervistë. Megjithatë, ia vlente të provohej. Ndoshta përgjigjet do të ishin gjithsesi interesante. Kështu, në gusht 2025, paraqita 12 pyetje në Hagë. U deshën katër muaj derisa, në prag të Krishtlindjes 2025, gjykata më njoftoi me email se përgjigjet e Thaçit ishin miratuar’’, ka shkruar ai.
Tutje, gazetari bëri të ditur edhe se, Specialja kishte deklaruar se përgjigjet e Thaçit do i dërgonte me postë, porse, vetëm pasi të ishte nënshkruar një ‘’dokument konfidencial’’.Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është në gjyq para një gjykate speciale në Hagë për krime të dyshuara lufte. Gazeta Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung (F.A.S.) arriti ta intervistonte atë me shkrim.
Thaçi dhe tre udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Kransiqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, po presin vendimin pas gjykimit që zgjati rreth 6 vjet.